SËMUNDJET NGJITËSE


SËMUNDJET NGJITËSE
✤ Sëmundje që shkaktohen nga mikrobet, viruset, protozoarët, parazitët, mykrat etj. Burimi i përhapjes së tyre është njeriu ose kafsha e sëmurë. Zakonisht shërimi i S. N.

shoqërohet me «pastrimin» e organizmit të të sëmurit nga mikrobet, kurse në 3-5% të rasteve i sëmuri vazhdon të nxjerrë sasi të vogla mikrobesh për disa javë ose muaj deri sa të vetëpastrohet krejt. Megjithatë, një numër fare i vogël njerëzish mbeten mbartës mikrobesh për një periudhë të gjatë kohe ose për tërë jetën.

Para Çlirimit për shërimin e S. N. merreshin disa masa të kufizuara. S. N. mjekoheshin në repartin e sëmundjeve të përgjithshme. Që në vitet e para pas Çlirimit pati disa arritje në luftimin dhe parandalimin e S. N. Për çrrënjosjen e tyre kanë ndihmuar sidomos masat higjieno-sanitare të sanksionuara me ligj si dhe veprimtaria e gjerë e mjekimit sanitar. Në 1956 u krijua dhe klinika universitare e S. N. Më 1970 u ndërtua në Tiranë spitali infektiv. Sot në Shqipëri ka një rrjet të gjerë repartesh të S. N. në të gjitha rrethet e vendit. Janë krijuar dhe kabinete për depistimin e dispanserizimin e këtyre të sëmurëve. Masat komplekse që u muarën bënë të mundur zhdukjen e një sërë S.N. si sifilizi, malaria, trakoma, fruthi (shih). Janë pakësuar e shkojnë drejt zhdukjes bruceloza, tetanozi, dermatomikozat, difteria etj. dhe ka ulje të ndjeshme të sëmundjeve të tifos së zorrëve, plasjes, etj.

Sot vëmendja kryesore është përqendruar në luftën kundër infeksioneve bakteriale, parazitare e viraleve të zorrëve e mëlçisë, gripit, etj. Në luftën kundër S. N. kanë ndihmuar me veprimtarinë e tyre mjekët Koço Lubonja, Nikolla Dushniku etj.

(E.El.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sëmundjet Ngjitëse


[cite]