ANTRAKNOZA


ANTRAKNOZA
✤ (Antracnosis). Sëmundje e bimëve, që shkaktohet nga disa kërpudha, të cilat dëmtojnë gjethet, frutat dhe kërcellin e mjaft kulturave bujqësore e drurëve. Shfaqet në trajtën e njollave në përgjithësi me ngjyrë të errët në të zezë, të shtypura dhe të kufizuara mirë, mbi të cilat në kohë me lagështirë, formohet një push me ngjyrë trëndafili ose të verdhemë, që përbëhet nga organet e shumëzimit të kërpudhave. Sipas bimës që preket, dallohen lloje të ndryshme të A. si p.sh. A. e fasules (Colletotrichum lindemuthianum), e hardhisë (Gleosporium ampelophagum) etj. Për luftimin e A. përdoren fungicidet me bazë organike si T.M.T.D, benomili, mangozebi, manebi etj., ndërsa ndaj fungicideve me bazë bakri këto kërpudha kanë qëndrueshmëri.

(A.Pa.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Antraknoza


[cite]