SISTEMIMI I TOKAVE


SISTEMIMI I TOKAVE
✤ Rregullimi i madhësisë; trajtës dhe relievit të blloqeve e ngastrave të tokave bujqësore, me qëllim që të bëhen sa më mirë kullimi, ujitja, ‘punimet dhe shërbimet agroteknike, të mbrohet toka nga gërryerja e nga shpëlarja. Pas Çlirimit në Shqipëri janë ndërmarrë punime të gjera për S. e T., për të cilat u krijuan kushtet me kolektivizimin e bujqësisë, me organizimin e ekonomive të mëdha socialiste, me shndërrimet që kanë sjellë ndërtimi i veprave të kullimit dhe ujitjes, zgjerimi i madh i sipërfaqes nën kulturë mekanizimi i punimeve bujqësore etj.

Sot tokat fushore, nëpërmjet rrjetit të kanaleve kulluese dhe ujitëse, janë ndarë në blloqe dhe ngastra të rregullta, të lidhura me rrugë. Tokat me përbërje të veçantë, si torfike, ranore, gurishtore etj. sistemohen në përshtatje me veçoritë përkatëse. Për S. e T. të pjerrëta, në shumë krahina malore të vendit është zbatuar ndërtimi i brezareve. Sot puna për S. e T. të pjerrëta është shtrirë në të gjitha zonat kodrinore e malore. Për tokat arë bëhet bashkimi dhe zgjerimi i ngastrave të vjetra; ndarja e rregullt e ngastrave të tokave të reja, rregullimi i rrjedhjes së ujërave me vija që hapen në gjurmën e brezareve të projektuara. Pas kësaj të gjitha plugimet dhe punimet kryhen vazhdimisht sipas këtyre gjurmëve derisa, me një proces disavjeçar, arrihet në formimin e brezareve të rregullta. Blloqet për pemëtari sistemohen me brezarim të menjëhershëm. Mund të përmenden sistemimet e blloqeve të mëdha të bregdetit, të Kurorës së Tiranës etj. Krahas këtyre zgjidhjeve të përgjithshme, gërshetohen sipas kushteve zgjidhjet me mure, drenimet, vetulloret, vijat kundër gërryerjes, bashkërendimi i arave me breza pemësh etj.

(Z. Ra.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sistemimi I Tokave


[cite]