BËNJA KAMBER


BËNJA KAMBER
✤ (1873-1916). Veprimtar i lëvizjes atdhetare, demokrat dhe mbrojtës i vlerave kulturore të vendit. Lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Në Manastir u lidh me Komitetin «Për lirinë e Shqipërisë». Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Pas pushtimit të vendit nga serbo-malazezët në maj 1915 dhe vendosjes së pushtetit të Esat Toptanit, luftoi me armë kundër forcave të tij. Kur u shpartallua ushtria serbe dhe u vendos pushtimi austro-hungarez, K.B. mori komandën e batalionit shqiptar. Iu kundërvu me vendosmëri pushtuesve dhe arkeologëve të tyre, që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve. Për këtë arësye bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, K.B. iu dha gjyqit ushtarak «për tradhti të lartë», u dënua me vdekje dhe u pushkatua.

(E.M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bënja Kamber


[cite]