SARDELJA


SARDELJA
✤ (Sardina pilchardus sardina). Peshk deti i familjes së kufelave (Clupeidae) me trup boshtor të shtypur anëve, të mbuluar me luspa të mëdha të cilat bien shpejt. Pas kapakëve valëzorë ka 5-6 njolla të errëta. S. ka gjatësi 13-14 cm dhe peshë mesatare 15-25 gr Ka cikël të shkurtër jetese, piqet shpejt seksualisht. Shton në moshën 12-16-muajshe dhe jeton deri 6 vjet. Në vitin e parë rritet mesatarisht 8 cm. Takohet në detin Mesdhe dhe në Adriatik e Jon. Shton në dhjetor e veçanërisht në shkurt e në të gjithë bregdetin, por kryesisht në zonën Sazan-Selitë, në 80-100 m thellësi, në vende me temp. të ujit shumë të përcaktuar 13.8°C-14.3°C. Në thellësi e peshkueshme është S. e moshave më të vjetra (S. e madhe). Peshkimi i S. sot është rritur rreth 25 herë, në krahasim me v. 1948. Peshkohet me koshilok e drita nën ujë e mbi ujë, si dhe me tratë pellagjike. Përbën 32-38% të peshkimit detar dhe është baza e ind. së konservave të peshkut në Shqipëri.

(N, R.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Sardelja


[cite]