SELVIA
✤ (Cupressus sempervirens L.). Dru i familjes selviore (Cupressaceae), që arrin lartësinë deri 30 m, me kurorë të ngushtë piramidale, të ngjeshur, me trung të drejtë, me gjethe në trajtë mëlluge fare të vogël 1-2 mm shumë të ngjeshura për degësh, me erë rrëshire kur fërkohen, me lulet mashkullore të vendosura në gathë të verdhëremë, me lule femërore të blerta, të grumbulluara në gathë. Lulëzon në shkurt-mars, bën fryt një boçe me 8-14 mëlluga, që e pjek në shtatorin e vitit të dytë. Çdo mëllugë ka 8-12 fara, ngjyrë gështenjë të errët. S. është me prejardhje nga Azia e Vogël, Irani dhe Greqia. S. është e përhapur me shumicë në Vlorë dhe gjatë bregdetit Jon. Në moshë të re rritet shpejt, veçanërisht kur ka lagështi të mjaftueshme, por mund të durojë thatësirën e verës. Rritet edhe në toka të varfra. S. do klimë të ngrohtë mesdhetare, shumë mirë rritet në vendet e hapura dhe me ndriçim të bollshëm.
Shumëzohet me fara, kalema e përpajna. Jeton deri 2000 vjet. Druja e S. është me blanë të bardhë në të verdhë e myjë të kuqërremë, e qëndrueshme në ujë, ka erë të këndshme, llustrohet bukur. S. në bazë të formës ndahet në 2 varietete: piramidale me majë të ngushtë e të gjatë, që ka më tepër vlerë si dru zbukurimi ahe horizontale me degë të shkurtra horizontale, që ka rëndësi pyjore, sepse lënda drusore ka pak nyjë, por dhe rritet shpejt.
(Ll. T.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Selvia
[cite]