AKACIA
✤ (Robinia pseudoacacia, L.). Dru i familjes deri 25 m i lartë, me gjethe rënëse tekpendore, të përbëra nga 3-10 çifte gjethëzash eliptike ose vezake, me ndajgjethëza gjembore, me lule të bardha në vile të varura, me fryt bishtajë të shtypur. A. e ka prejardhjen nga Amerika e V, është e përhapur në mbarë Evropën si dru zbukurimi dhe për ripyllëzimin e vendeve të zhveshura. Në Shqipëri A. ndeshet e natyralizuar nëpër rrugë, parqe, buzë lumenjve etj. Lulëzon gjatë muajve prill-maj dhe frytëzon në shtator-tetor. Shumohet me farë ose lastarë. Është dru përmirësues i tokës. Lulet janë aromatike e mjaltëse të mira dhe përdoren për qetësimin e kolikeve dhe spazmave. (J.V.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Akacia


[cite]