ALEKSI ASADREA


ALEKSI ASADREA
✤ (i mbiquajtur Durrsaku, 1425-1505). Arkitekt, piktor e skulptor shqiptar. Në tërë mbishkrimet e veprave të tij shënon origjinën e vet nga Durrësi, ku lindi. Në moshë të re mërgoi bashkë me të atin në qytetin Split të Dalmacisë, ku më 1435-1443 studioi pranë skulptorit Mark Troja. Që në moshën 18-vjeçare u shqua si skulptor e arkitekt. Në 1452 punoi si arkitekt në Shebenik. Në 1452-1454 bëri statujat e lozhës sa tregtarëve në Ankonë të Italisë; në 1454 afresket në një kishë të ishullit Arbe të Dalmacisë. Gjatë v. 1456-1460 punoi në Zarë, Venedik, Radë etj. dhe më 1467 përfundoi pagëzimoren e Trogirit që mbahet si kryevepra e tij. Bashkëpunoi me Nikolla Fiorantinin, nxënës e pasues i Donatelos e Gjergj Orsinin. Vitet e fundit të jetës punoi e jetoi në Split. A. A. është një nga artistët më të mëdhenj të rilindjes dalmatine, që futi frymën humaniste në artin e arkitekturës, të pikturës e të skulpturës.

(M. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Aleksi Asadrea


[cite]