ALIA GJERGJ ELEZ


ALIA GJERGJ ELEZ
✤ Heroi i njërit prej krijimcve më të bukura të epikës heroike legjendare shqiptare. Përgjithëson artistikisht qëndresën kundër synimeve pushtuese të të huajit, sakrificën më të lartë për lirinë e atdheut,, për dinjitetin familjar e vetjak. Paraqitet duke lënguar në shtrat për nëntë vjet nga nëntë plagë të hidhura, por ngrihet, lufton dhe vret Bajlozin e ardhur «përtej detit». Bajlozi mishëron egërsinë e mendjemadhësinë e pushtuesit të huaj dhe kërkesat e tij të kujtojnë tatimin në natyrë, një formë e hershme e rentës feudale që në periudhën bizantine. Përgjigjja plot krenari që Gj.E.A. i jep Bajlozit shpreh thelbin e idealit popullor shqiptar për nderin. Procedimi artistik, fryma e përgjithshme epike, heroike, mjetet stilistike e afrojnë krijimin për Gj.E.A. me këngët e tjera të ciklit të kreshnikëve, por në të ka dhe mjaft elemente lirike të baladës. Idetë e fuqishme dhe ndërtimi i përsosur artistik, e bëjnë këngën për Gj.E. A. një nga kulmet e poezisë folklorike. Ajo këndohet dhe sot në trevat V të vendit, si dhe te shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë. Paralele të saj gjenden në popuj të tjerë të Ballkanit, por te shqiptarët ka origjinalitetin e vet. Emri i Gj. E. A. ndeshet edhe në nj ë rapsodi boshnjake, por me subjelct krejt tjetër e nuk ka-.të bëjë me këngën shqiptare.

(J.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Alia Gjergj Elez


[cite]