ANARIA FEUDALE NË SHQIPËRI

  FESH


ANARIA FEUDALE NË SHQIPËRI
✤ (Shek. XVIII). Periudhë historike e karakterizuar nga gjendja e turbullt, arbitraritetet e shkelja e ligjeve në të gjitha fushat e jetës, që pengoi rëndë për një kohë zhvillimin ekonomik të vendit. Burimi kryesor ishin shthurja e sistemit të timareve, procesi i shndërrimit të pronës feudale shtetërore (mirie), në pronë feudale private, si dhe rritja e vazhdueshme e taksave. Këto ndryshime patën si pasojë nga njëra anë, forcimin ekonomik e politik të klasës feudale vendase dhe nga ana tjetër, dobësimin e pushtetit qendror osman.

Dukuritë më të rëndësishme të A.F. ishin: a) lëvizjet e feudalëve të deklasuar që humbën timaret dhe formuan reparte të armatosura, me të cilat për llogari të vet sulmonin e grabisnin krahina fshatare, prona shtetërore e çifligje, qytete të vegjël e të mëdhenj, ndërprisnin rrugët tregtare etj. Ato më në fund u kthyen në reparte ushtarake me rrogë në shërbim të oxhaqeve rivale për pushtetin lokal, ose në shërbim të ushtrisë perandorake; b) qëndresa shumëformëshe e fshatarësisë për të kundërshtuar arbitraritetin feudal, pagimin e taksave të rënda shtetërore e sidomos të atyre të jashtëzakonshme, si dhe zhveshjen nga toka e që vinte kryesisht si pasojë e varfërimit të pandërprerë të saj; c) grindjet e luftërat midis oxhaqeve rivale për të shtënë në dorë pushtetin lokal dhe sipërmarrjet e taksave, formimi i grupimeve kundërshtare në të cilat u tërhoqën shtëpitë feudale më të vogla dhe krerët e reparteve të armatosur, duke përfshirë edhe ato të malësive të vetëqeverisura, si dhe tarafet esnafore në qytet. Ndërsa forca e lëvizjeve të fshatarësisë e të feudalëve të deklasuar gradualisht erdhi duke rënë aty nga çereku I i shek. XVIII, grindjet e luftërat për pushtet midis oxhaqeve vazhduan deri në çerekun III. Kapërcimi i A. F. u bë i mundur vetëm kur u krijuan kushtet objektive për themelimin e Pashallëkeve të mëdha shqiptare (shih) të Shkodrës dhe të Janinës.

(S. N.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Anaria Feudale Në Shqipëri



Enciklopedia Shqiptare | Albanian Encyclopedia → "ANARIA FEUDALE NË SHQIPËRI":

Cito
Lidhje - URL/LINK: https://wiki.shqipopedia.org/anaria-feudale-n%c3%ab-shqip%c3%abri
"ANARIA FEUDALE NË SHQIPËRI," tek Enciklopedia Shqiptare
____________________________

§ Shqipopedia © - Enciklopedia shqiptare
2013 - 2018