Anonimi i Elbasanit

Anonimi i Elbasanit

Anonimi i Elbasanit është një dëshmi tjetër, e cila mendohet të jetë e shekullit XVII dhe u gjend në vitin 1949 në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. Ajo përbëhet nga pjesë të katër ungjijve, shkruar me një alfabet të veçantë dhe është përdorur për nevoja liturgjike. Teksti nuk e përmend emrin e autorit dhe vitin e shkrimit, prandaj u emërtua si anonim. Përkthimi është i lirë, në të folmen e Elbasanit dhe ka pak fjalë të huaja. Gjuha është më arkaike se ajo e Dhaskal Todrit. Dokumenti i përket gjysmës së dytë të shekullit XVIII dhe në të ndjehen ndikimet e toskërishtes. Alfabeti i përdorur është i panjohur më parë, me 40. shkronja me bazë glagolitike dhe është alfabeti orgjinal më i vjetër që njihet në shkrimin e shqipes. Në tekst gjendet i shkruar emri i një kleriku, Papa Totasi, i cili ishte prifti i Shpatit dhe ka jetuar në shekullin XVIII, por Prof. M. Domi mendon se autori është Grigori i Durrësit, vdekur më 1772, i cili është marrë me përkthimin e ungjijve dhe ka përdorur një alfabet origjinal. Nga gjuha e dorëshkrimit kuptohet që ka qenë njeri i ditur. Kjo vepër prej gjashtëdhjetë faqesh u shpëtua nga studiuesi elbasanas Lef Nosi, atëherë kur manastiri i Shën Gjon Vladimirit u dogj më 14 mars 1944.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Idromeno, Shkodër 1999, faqe 93.
2-Dhimitër Shuteriqi, Shkrimet shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë 1976, faqe 92.

Besimi — Ortodoks

Si ta citojmë këtë artikull: Artikulli me titull "Anonimi i Elbasanit" është marrë nga Shqipopedia: https://wiki.shqipopedia.org/anonimi-i-elbasanit-2