ANSAMBLI ARTISTIK
✤ Grup artistik i përbërë nga orkestra e formacionit të vogël, grupi i valleve, disa këngëtarë solistë dhe një formacion vokal ose koral. I pari A.A. i organizuar qysh gjatë Luftës ANÇ ishte Ansambli i UNÇSH, që pas Çlirimit u bë profesionist (shih Ansambli Artistik i Ushtrisë Popullore). Pas Çlirimit u krijuan mjaft A.A., në fillim pranë Shtëpive të Rinisë, më vonë pranë shtëpive të Kulturës e të Krijimtarisë Popullore dhe ‘në klubet e BP. Më 1957 u krijua Ansambli i Këngëve e i valleve Popullore (shih). Me masivizimin e artit muzikor, këto grupe morën përpjesëtime të gjera. U ngritën ansamble amatore sidomos në qendra pune e prodhimi, në shkollat e mesme, në ushtri etj. Ndër këto A.A. më të njohura janë: Ansambli «Migjeni» (shih), i Kombinatit të Tekstileve «Stalin», i Kombinatit të autotraktorëve «Enver Hoxha», si dhe ansamblet në rrethe: «Isuf Myzyri» në Elbasan, «Labëria» në Vlorë, «Skënderbeu» në Korçë etj. Çdo katër vjet organizohen Takime kombëtare të ansambleve amatore të klasës punëtore, që i japin shtytje ngritjes së vazhdueshme të nivelit të tyre në lëmin e ekzekutimit e interpretimit. A.A. profesioniste dhe amatore japin koncerte rregullisht gjatë vitit për dëgjuesit, konkurrojnë në veprimtari të tilla kryesore të përvitshme si Koncertet e Majit në kryeqytet, Koncertet e Nëntorit në disa rrethe etj.
(S.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ansambli Artistik
[cite]