ANTENAT E TRUPIT TONË
Organizmi ynë ndodhët në kontakt të vazhdueshëm me mjedisin dhe arrin të orientohet shumë mirë në këtë mjedis. Kjo ndodh në sajë të një informacioni të vazhdueshëm që merr truri ynë mbi çdo gjë që na rrethon. Aparatet që e marrin këtë informacion janë të shpërndara në të gjithë trupin tonë dhe quhen receptorë. Pra, receptorët janë antenat e trupit tonë, janë aparatet marrëse, që kapin çdo ngacmim që vjen nga bota e jashtme. Dhe jo vetëm kaq. Këto aparate kanë aftësinë që këto ngacmime t’i shndërrojmë në impulse nervore dhe, me anën e nervave, t’i transmetojmë menjëherë në tru. Në këtë mënyrë truri informohet vazhdimisht mbi çdo gjë që ndodh rreth nesh.
Receptorët e trupit tonë janë organet e të parit, të të dëgjuarit dhe të ekuilibrit, të shijes e të nuhatjes, të ndjeshmërisë së lëkurës etj. Vetëm te lëkura jonë ndodhen të shpërndarë disa lloje receptorësh të specializuar për të dalluar temperaturën, dhimbjen, të prekurin etj. Me anën e receptorëve ne arrijmë të informohemi mbi natyrën e sendeve që na rrethojnë, të dallojmë formën, ngjyrën, natyrën, temperaturën, aromën etj. Në sajë të këtyre receptorëve ne shikojmë, dëgjojmë, nuhasim, shijojmë,kemi ndjesinë e të ftohtit e të të ngrohtit etj. Janë pikërisht receptorët që dërgojnë pa ndërprerje në tru morinë e pafund të të dhënave për mjedisin që na rrethon.