Aparati i frymëmarrjes
Që të mund të vërë në përdorim energjinë që përvetëson nga ushqimet, organizmit tonë i nevojitet edhe një lëndë tjetër, oksigjeni. Oksigjeni është një gaz që ndodhet në atmosferë, por i përzier edhe me gaze të tjera që nuk i nevojiten organizmit. Pra, ai duhet të ndahet prej tyre. Për këtë qëllim organizmi ynë ka aparatin e frymëmarrjes. Me anën e këtij aparati, që përfshin: hundën, grykën, bronket dhe mushkëritë, njeriu fut ajër në mushkëri, mban oksigjenin që i nevojitet dhe nxjerr jashtë gazet e tjera
Sipas lëvizjeve dhe punës që kryen njeriu, shpenzon më shumë ose më pak energji. Në përpjesëtim me energjinë që shpenzon, organizmi ynë ka nevojë për më shumë ose për më pak oksigjen. Kur pushojmë, shpenzojmë pak energji, rrjedhimisht kemi nevojë për më pak oksigjen, prandaj në këtë rast edhe frymëmarrja është e qetë. Ndërsa kur vrapojmë frymëmarrja bëhet më e shpeshtë.