ANTIGONEA


ANTIGONEA
✤ Qytet i Kaonisë në Epir, i përcaktuar në rrënojat e kalasë së Jermës, në J të Saraqinishtës (Gjirokastër). A. u themelua në fillim të shek.III p.e.r. Zë një sipërfaqe 45 ha, muret rrethuese të gjata rreth 4000m e të gjera 3.5m janë/me blloqe gurësh paralelpipedë e poligonalë, të përforcuar me 13 kulla katërkëndëshe dhe kanë 3 porta. Gjatë gërmimeve të bëra në vitet 1966-1975 janë zbuluar pjesë nga lagjet e qytetit që përshkoheshin nga rrugë të drejta e të kryqëzuara dhe nga një rrjet kanalesh. Banesat janë të tipave peristil, pastas dhe me korridor të ngushtë. Janë zbuluar dhe punishte zejtarësh e shumë prodhime të tyre, si qeramikë, vegla pune, stoli. Monedha të Dyrrahut, Apolonisë, Orikut, Epirit, Ambrakisë, Maqedonisë, Korintit etj. dëshmojnë për lidhjet e gjera të qytetit. 14 tessera me fjalën Antigonea shërbyen për të përcaktuar emrin e qytetit. A. u shkatërrua në mesin e shek.II p.e.r. nga një zjarr i madh dhe nuk u rimëkëmb më. Është zbuluar një trikonkë e vogël me dysheme mozaiku shumëngjyrësh e shek. VI.

(Dh. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Antigonea


[cite]