ARGJENDARIA


ARGJENDARIA
✤ Mjeshtëria e punimit të^sendeve të çmueshme dhe të stolive prej ari e argjendi. Traditat e A. janë mjaft të hershme në truallin e Shqipërisë. Objektet arkeologjike prej bronzi, ari dhe argjendi, që i përkasin qytetërimit ilir e mesjetës së hershme shqiptare, tregojnë për zhvillimin e A. dhe nivelin e lartë artistik të saj. Lulëzimin më të madh e arriti në shek.XVIII deri në mesin e shek.XIX. Pas kësaj periudhe kërkesat për prodhimet e A. vijnë gjithnjë duke u pakësuar. Si pasojë dhe mjeshtëria shkoi drejt rënies. Qendra të njohura për zhvillimin e A. qenë: Shkodra, Elbasani, Berati. Gjakova, Prizreni etj., ku prodhoheshin stoli të ndryshme për gra e për burra (vathë, unaza, byzylykë, breza, pafia, qostekë etj.), armë dhe pjesë të tjera shoqëruese (pushkë, kobure, jataganë, vezme, palcore etj.), enë e orendi, kuti tualeti, tabaka, zarfa filxhanësh, kuti cigaresh etj.) Mjeshtërit argjendarë shqiptarë përdornin me sukses disa teknika pune: me skalitje, me rrahje, me derdhje, me filigran etj. Ata arritën të nxjerrin nga duart sende me vlera të mirëfillta artistike. Në shek.XIX teknika e filigranit konkurroi me sukses të gjitha të tjerat. Përdorimi i filigranit të tejdukshëm u njoh në të gjithë Ballkanin si specialitet i argjendarëve shqiptarë. Traditat me vlerë të A. shqiptare u përtërinë dhe u çuan më tej pas Çlirimit. Sot ka reparte të posaçme të ndërmarrjeve artistike të ngritura në disa qytete të vendit tonë, ku prodhohen kryesisht stoli grash, ibrikë, vazo, xhezve e zarfa filxhanësh, si dhe pamje të ndryshme me tematikë simbolike. Për këto prodhime përdoret shumë edhe metali i bakrit duke zbatuar teknikën e rrahjes dhe të filigranit (shih: Prodhirnet ariistike).

(A.O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Argjendaria


[cite]