Bërthama e qelizës
Bërthama është një qelizë e vogël brenda në qelizë. Ajo drejton gjithë veprimtarinë jetësore të qelizës. Në bërthamë ndodhen disa fijëza të holla të quajtura kromosome. Vetë kromosomet janë të përbëra nga mijëra grimca të vogla, të quajtura gjene. Çdo qelizë e organizmit të një lloji ka në bërthamë një sasi të caktuar kromosomesh. Kështu, p.sh., misri ka 20 kromosomë, gjedhi 60, delja 54 dhe njeriu 46 kromosome. Lënda që përbën kromosomet është një lloj acidi i quajtur acid dezoksiribonukleik dhe që shënohet me tre gërma të mëdha; A D N
Këta dhjetëvjeçarët e fundit shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë disa nga të fshehtat e bërthamës qelizore, por ende jo të gjitha. Është arritur në përfundimin se te kromosomet, te gjenet, në mënyrën e ndërtimit të molekulave të ADN-së, është ngulitur kodi i trashëgimisë, d.m.th. gjithë të dhënat që drejtojnë veprimtarinë e qelizës. Këto të dhëna, me anën e disa mekanizmave të posaçme e shumë të imëta, kalojnë nga bërthama në pjesët e tjera të qelizës, në organoidet e saj, dhe i njoftojnë ato se çfarë veprimi duhet të kryejnë. Kështu, p.sh., në bazë të informacionit që vjen nga bërthama, ribozomet prodhojnë një lloj ose një lloj tjetër proteine dhe në sasinë e caktuar, në përputhje me nevojat jetësore të qelizës dhe të të gjithë organizmit.