Babilonia

(greqisht: Βαβυλωνία) Babilonia ka qenë qytet i vjetër që gjendej midis lumenjve Tigër dhe Eufrat. Prej Babilonisë u nis Abrahami për të shkuar në tokën e premtuar në Palestinë. Babilonia njihej edhe nga kulla e famshme e Babelit, ku u pështjelluan gjuhët e botës (Gjeneza 11, 1-9). Ky qytet e arriti kulmin e lulëzimit në shekullin VI para Krishtit në kohën e mbretit Nabukodonosor, i cili e zmadhoi dhe e zbukuroi. Babilonia ishte e rrethuar prej një muri me trashësi rreth 25 metrash. Kishte njëqind porta bronxi, nga 25 për çdo krah. Prej tyre dilnin rrugë të cilat kryqëzoheshin, duke e ndarë qytetin në katrorë të barabartë. Gjithashtu edhe Eufrati, që rridhte në qendër e ndante qytetin në dy pjesë. Shkatërrimi i qytetit filloi atëherë kur ra nën sundimin e mbretit persian Kirit, duke u plotësuar kështu të gjitha profecitë (Isaia 14, 1-23; 21, 1- 10; 46,1-2; 47, 1-3). Jeremia profetizonte se Babilonia do të shndërrohej në një grumbull gërmadhash dhe kështu ndodhi (Jeremia 51, 37). Emri Babilon do të thotë: ai që i kundërvihet Perëndisë (Apokalipsi 14, 8).

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]