BASHKIMI I GRAVE TË SHQIPËRISË


BASHKIMI I GRAVE TË SHQIPËRISË
✤ (BGSH). Organizatë politike-shoqërore, e udhëhequr nga PPSH për edukimin dhe mobilizimin e masave të grave në luftë për fitoren e revolucionit e të ndërtimit socialist të vendit, Hero i Punës Socialiste.

Gjatë Luftës ANÇ, PKSH shtroi detyrën e bashkimit të të gjitha forcave të gjalla, revolucionare të grave në një organizatë antifashiste. Menjëherë pas Konferencës së Pezës (shih), ku gratë për herë të parë u përfaqësuan në një mbledhje të tillë historike me rëndësi kombëtare, u ngritën këshillat antifashistë të grave në fshatra e krahina të çliruara, në lagje e qytete të pushtuara. Organizata u krijua në vitet e Luftës ANÇ, në bazë të vendimeve të Konferencës I të Vendit të PKSH dhe me direktivë të KQ të PKSH, të prillit 1943. Pas Konferencës I të Vendit të PKSH, në të gjithë vendin filloi puna për ngritjen e Bashkimit të Gruas Antifashiste Shqiptare (BGASH). Për të bashkërenduar dhe njësuar veprimtarinë e këshillave antifashistë të gruas dhe për të drejtuar punën derisa të zgjidhej një organ qendror antifashist i grave, në prill 1943 u krijua në Tiranë një Komision iniciator, në krye të të cilit KQ i PKSH caktoi sh.Nexhmije Xhuglini (Hoxha) (shih). Komisioni nxori edhe revistën Gruaja shqiptare (shih). Në Konferencën II NÇ në Labinot në shtator 1943, deiegacioni i grave parashtroi kërkesën për t’u njohur zyrtarisht BGASH dhe njoftoi aderimin e saj në programin luftarak të Frontit NÇ. Në përputhje me detyrat që i ngarkoi Partia dhe me mësimet e sh.Enver Hoxha, BGASH edukoi dhe mobilizoi masën e grave të Shqipërisë në luftë kundër pushtuesve të huaj e tradhtarëve. 6000 luftëtare rrëmbyen armët, qindra mijëra të tjera me vetmohim në prapavijë u bënë mbështetje e fuqishme morale e materiale e njësiteve guerile, e çetave, e batalioneve dhe e brigadave partizane. Më 4.11.1944 në Berat u mbajt Kongresi I i BGASH (shih). Në Kongresin II të BGASH, që u mblodh në Tiranë më 30.6.1946, u vendos që organizata të merrte emrin «Bashkimi i Grave të Shqipërisë». Pas Çlirimit BGSH, vazhduese besnike e rrugës luftarake dhe e traditave revolucionare të BGASH, nën udhëheqjen e PPSH dhe sipas direktivave të saj, ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm për edukimin klasor revolucionar dhe mobilizimin e grave në luftën për ndërtimin socialist dhe mbrojtjen e vendit, për të lartësuar gruan në shkallën që e kërkon zhvillimi i pandërprerë i revolucionit tonë socialist, për të realizuar plotësisht programin e Partisë për emancipimin e gruas.

Organizata e BGSH ndërtohet në bazë të terrltorit, sipas parimit të centralizmit demokratik. Organi më i lartë është Kongresi, ndërsa organ drejtues në periudhën midis dy kongreseve është Këshilli i Përgjithshëm. Këshilli zgjedh Kryesinë, nga del dhe Sekretariati i Këshillit të Përgjithshëm. Çdo rreth ka këshiliin e tij të gruas dhe Kryesinë, që del nga këshilli i rrethit. Çdo fshat, çdo bllok ka organizatën-bazë të BGSH, e cila zgjedh çdo dy vjet një këshill që drejton punët e organizatës. Në tërë punën e tyre këshillat e grave në bliok, fshat e qendër pune ndihmohen nga një rrjet i gjerë veprimtaresh.

BGSH është një organizatë e fuqishme revolucionare. Në gjirin e saj numërohen rreth 600.000 anëtare. Boton organin e saj Shqiptarja e re (shih). Për forcimin e gjithanshëm të BGSH dhe për të kryer me sukses detyrat që i ka ngarkuar Partia kanë luajtur rol të rëndësishëm me punën e tyre organizuese e drejtuese presidentet e kësaj organizate shoqet Nexhmije Hoxha, Vito Kapo, Ollga Plumbi e Lumturi Hexha, kanë dhënë ndihmesë të çmuar në tërë veprimtarinë e saj aktivistet e shquara Naunka Bozo, Eleni Selenica, Nefo Myftiu, Ela Gjikondi, Liri Tashko, Irfan Çoçoli, Hilmije Kosturi, Qibrie Ciu, Nedrete Hoxha, Urani Kudra, Meriban Najdeni, Lavdie Leka, Eftimi Lito etj.

(L.Le.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bashkimi I Grave Të Shqipërisë


[cite]