BATALIONI


BATALIONI
✤ Repart taktik i përbërë nga disa kompani. Në shek.XIV-XV B. quheshin repartet e këmbësorisë së lehtë dhe të kalorësisë; nga shek.XVII B. filluan të quheshin pjesë të këmbësorisë me efektiv të përhershëm prej 250-1000 vetash. Në Shqipëri për herë të parë B. është krijuar në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pastaj në ushtrinë e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Këtë strukturë e mbajtën edhe ushtria e Qeverisë Demokratike më 1924, më pas ushtria e regjimit feudalo-borgjez.

Gjatë luftës ANÇ sipas vendimeve të Konferencës I të Vendit të PKSH, në maj-qershor 1943, çetat partizane të qarqeve u organizuan në B. me përbërje prej 3-4 çetash. Ato merrnin emra të atdhetarëve të shquar, të dëshmorëve të parë të Luftës ANÇ si dhe emra vendesh (shih: Batalionet Partizane). Në shtator-tetor 1943 u organizuan në B. edhe çetat territoriale (shih: Batalionet Territoriale). Pas Çlirimit struktura e B. u përsos më tej. Zhvillimi i llojeve të armëve e modernizimi i Ushtrisë Popullore (shih) çoi jo vetëm në krijimin e B. këmbësore, por edhe të llojeve të tjera. B. kryejnë detyra luftarake si në përbërje të njësive, ashtu edhe në mënyrë të mëvetësishme.

(P.R.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Batalioni


[cite]