BATALIONI PARTIZAN ALI KELMENDI
✤ U formua më 25.5.1943 në Voskopojë mbi bazën e çetës së parë të Gorës e me vullnetarë të rinj nga fshatrat e qyteti i Korçës. Më 1-6 korrik mori pjesë në luftën kundër garnizonit armik në Kuqar (shih Lufta e Përmetit); më 10-12 shtator, së bashku me forcat e tjera partizane të qarkut të Korçës, zhvilloi luftime të ashpra kundër divizionit italian «Areco», që pas kapituliimit të Italisë përpiqej të largohej nga Korça, për të mos iu dorëzuar forcave partizane të UNÇSH. Në shtator 1943, së bashku me batalionet «Themistokli Gërmenji» (shih), «Hakmarrja» (shih) dhe me forcat vullnetare territoriale rrethoi forcat balliste në Teqenë e Melçanit dhe i detyroi ato t’u kthenin fshatarëve grurin e grabitur me forcë. Më 13.10.1943 pas riorganizimit të forcave partizane të qarkut të Korçës, një pjesë e forcave të B.P. «Ali Kelmendi* u rreshtua në batalionin «Gorë-Opar», kurse pjesa tjetër në batalionin «Shqiponja».
(V.H.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Batalioni Partizan Ali Kelmendi
[cite]