BATALIONI PARTIZAN I DUMRESË


BATALIONI PARTIZAN I DUMRESË
✤ U formua më 14.5.1943 në fshatin Shtërmen të Cërrikut mbi bazën e çetave partizane të Dumresë dhe të Shpatit, Më 27.5.1943 goditi e shkatërroi kantieret italiane «Mediterraneo» dhe «Cidonio» në rrugën Elbasan-Peqin. Me një grup sulmi që futi në qytetin e Elbasanit, dogji godinën e kuesturës. Së bashku me batalionin e Mokrës (shih) dhe me forcat vullnetare të rrethit të Pogradecit, goditi kolonën e ushtrisë italiane në Pojskë (shih Prita e Pojskës). Më 15 shtator goditi një kolonë gjermane në rrugën Elbasan-Cërrik. Në bashkëveprim me batalionin IV të Br. I S rrethoi e shpartalloi forcat bailiste në Belsh. Gjatë muajit nëntor 1943 kreu një varg luftimesh të suksesshme kundër forcave xhandare-balliste, që së bashku me forcat naziste gjermane kërkonin të pushtonin zonat e lira në qarkun e Elbasanit. Gjatë Mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 (shih) zhvilloi luftime në Strapickë të Tomorricës dhe në Lavdar të Korçës në bashkëveprim me forcat e Br.I S. Së bashku me forcat e D.I S mori pjesë në luftimin që zhvilluan forcat e këtij divizioni tek ura e Moglicës, Qafa e Gjarprit, Guri i Prerë, në Dushar e Galigat. Gjatë muajit gusht shpartalloi forcat xhandare-balliste në Seferaj (më 5 gusht), në Shtërmen (më 12 gusht) dhe në Fushë-Mbret (më 1 shtator). Më 26.9.1944 B.P. i Dumresë u rreshtua në radhët e Br.XVII S (shih).

(K.S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Batalioni Partizan I Dumresë


[cite]