BAZAT ILEGALE TË PARTISË
✤ Shtëpi të popullit ose vende të fshehta që shërbyen gjatë Luftës ANÇ për të strehuar kuadro drejtues të PKSH, komunistë e patriotë ilegalë, partizanë të plagosur dhe të sëmurë, teknikën e shtypit, armatime e materiale të tjera. Ishin çerdhe të njësiteve guerile, ku përgatiteshin planet e aksioneve të tyre luftarake dhe strehoheshin pjesëmarrësit e këtyre aksioneve. PKSH ngriti një rrjet të tërë bazash ilegale në qytete e fshatra dhe kishte baza të veçanta e shumë konspirative për mbledhje të KQ dhe të komiteteve qarkore, si dhe për strehimin e shokëve udhëheqës të Partisë. Për teknikën e shtypit ose për mbledhje të rëndësishme kishte edhe baza rezervë, në qytet e sidomos në fshat.
B.I. të P. zakonisht ngriheshin në vende që nuk binin në sy të armikut, ku mund të manovrohej në rast rreziku, si dhe në lokale ku kishte hyrje e dalje të zakonshme njerëzish për të mos tërhequr vëmendjen e armikut. Shfrytëzoheshin mjedise të fshehta ose ngriheshin enkas kthina të veçanta fë maskuara. Në këto baza dhanë një kontribut të veçantë nënat trime që u kujdesën për shokët ilegalë dhe u krijuan kushtet për të kryer detyrat.
(L.Z.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bazat Ilegale Të Partisë
[cite]