Bazilikë
Bazilikë ose basilica lidhet me Mbretërinë e Krishtit. Vendi që adhurohet Krishti u quajt nga e gjithë bota kristiane bazilikë. Në vitin 326 Perandoresha Helena ndërmori një udhëtim në Palestinë, gjatë të cilit zbuloi në sajë të një zbulese hyjnore Kryqin e nderuar të Zotit. Kostandini urdhëroi që në atë vend të ngrihej një bazilikë madhështore kushtuar Ngjalljes, e cila u përurua në vitin 335 me rastin e 30-vjetorit të mbretërimit të tij. Perandoresha Helena vizitoi edhe vende të tjera të shenjta dhe ndërtoi bazilika në Betlehem, në Malin e Ullinjve etj. Bazilika madhështore u ngritën në Kostandinopojë: 1-Kisha e Shën Sofisë, e cila u ndërtua me dy faza në kohën e Kostandinit dhe të Theodhosit II rreth viteve 415 dhe më vonë në shekullin VI nga Perandori Justinian. 2-Kisha e Shën Irinit, e cila u dogj në vitin 532 dhe u rindërtua nga Justiniani. 3-Kisha e Apostujve të Shenjtë, u ndërtua nga Kostandini për t’u përdorur për varret e perandorëve bizantinë. Në Romë kanë shpëtuar mbi 100 bazilika paleokristiane nga të cilat mund të veçonim: 1-Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, e cila u ndërtua nga Kostandini i Madh. Në hieroren e kësaj kishe gjendet varri i Apostull Pjetrit. 2-Kisha e Shën Joanit në Laterano, u ndërtua në vitet e mbretërimit të perandorit Kostandin. 3-Kisha Santa Maria Magiore me mozaikët e saj të famshëm etj.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)