Beratinus-1
Kodiku i Purpurt i Beratit njihet në botën shkencore me emrin “Codex Purpureus Beratinus”.
Ky thesar dorëshkrimor, më i vjetri i lashtësisë sonë, ruan vetëm dy ungjij: të Mateut dhe të
Markut. Përbëhet prej 190 fletësh pergamene të ngjyrosura në ngjyrë të purpurt, në të kuqe të
thellë, sot shumë e zbehtë. Grafia e kodit është me shkronja argjendi të tretur. Disa fjalë janë
të shkruara me ar. Shkronjat janë kapitale, të tipit të përzier, kuadrat, (unciale majuscule).
Shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve. Nistoret janë të mëdha, por jo të
stolisura.
Formati i fletëve është 314 x 268 milimetra. Teksti është në dy kolona, me 17 rreshta për
kolonë dhe me një motiv dekorativ të thjeshtë.
Përveç shkrimit kaligrafik, që paraqitet si art më vete, kodiku ruan një dekor me një motiv prej
zemrash, që përbrenda kanë nga një lilan tri petalesh. Ky është një motiv interesant për
vjetërsinë. Motivi përfshihet brenda dy linjash paralele të vendosura vertikalisht dhe që
kryqëzohen horizontalisht, duke krijuar një kënd të drejtë.
Ky motiv i thjeshtë, që simbolizon epiqendrën shpirtërore të njeriut, si më i vjetri në bibliografinë
tonë më të lashtë, trashëgohet në kodikë tanë më të vonë, në mënyrë identike, si në Kodikun
nr. 4 të Beratit, në Kodikun nr. 8 të Beratit. I stilizuar motivi gjendet edhe në zbukurimoren e
disa kodikëve të tjerë, si në Kodikun nr. 5 të Vlorës dhe në Kodikun nr. 11 të Vlorës.
Ky kodik është dëmtuar rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke qenë i fshehur për një
kohë të gjatë në Berat. Eshtë restauruar, por paraqitet mjaft i dëmtuar.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve