Beratinus-2
Ky kodik u quajt prej Batiffol-it me emrin “Codex Aureus Anthimi”. Kjo për nder të emrit të
peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhi, i cili e kishte ndihmuar Batiffol-in për të njohur antikitetet
e Beratit.
Kodiku në fjalë është katërungjillësh, me 420 fletë pergameni, me tekst në njëshkolonë, me
format 24 x 19 cm, me grafi prej shkronjash të vogla korsive ari të tipit të vjetër dhe me 17
rreshta për faqe.
Kodiku ka qenë i stolisur me katër figurat e ungjillorëve, të dekoruara me korniza të gjera, me
katër vinjeta, nga të cilat tri ruhen, ndonëse mjaft të dëmtuara, kurse e katërta është zhdukur
krejt. Nga pjesë të ruajtura të kornizave dhe pjesë të vinjetave është bërë rindërtimi i plotë i
tyre në një kopje identike të këtij kodiku.
Çdo figurë e ungjillorëve është pikturuar brenda një katërkëndëshi me përmasa rreth 12 x 19
cm. Janë kompozuar thjesht, pa ndonjë sfond arkitekturor, madje pa tryezën e shkrimit, brenda
një katërkëndëshi të ngushtë, saqë figura e Shën Gjonit del pak përmbi linjën e sipërme
përkufizuese. Megjithatë, këto figura paraqiten të trajtuara bukur: Shën Gjoni ulur mbi një fron
me mbështetëse të lartë të harkuar nga sipër, kurse Shën Marku e Shën Luka mbi stola të
vegjël prej druri, në pozicion pak të përkulur mbi ungjillin e hapur që mbajnë mbi gjunjë.
Për portretet e këtyre figurave Batiffol-i ka shkruar, qysh në shekullin e 19-të, se “ato janë
shuar tërësisht”. Sot ato mund t’i shohim në siluetë. Pjesët e tjera të figurave paraqiten,
gjithashtu, të dëmtuara shumë. Tek Shën Marku mungon gjithë pjesa e pergamenit mbi të
cilën është pikturuar ungjillori ndenjur. Ngjyrat e veshjeve sot paraqiten si një fushë e rrafshtë
ngjyrë kafeje të errët, të turbullt. Trajtimi i figurave është i një stili grafik të thatë. Rrudhat
përcaktohen me anë linjash të zeza, të thyera e të drejta, kurse me linja të lakuara piktori
anonim është përpjekur të arrijë format e gjymtyrëve dhe pozicionin e kërrusur të figurave.
Kështu, ndonëse të thjeshta, por me vizatim të saktë, këto figura vlerësohen për një finesë të
theksuar në vizatimin e siluetës. Pozicionet e figurave pak të kërrusura karakterizohen nga
eleganca.
Proporcionet e figurave pak të kërrusura, po të krahasohen me ato të miniaturës më të mirë
të shekullit të 10-të, të Kostandinopojës, me siguri do të duken si të një tipi gati naiv, siç e ka
vënë në dukje Batiffol-i. Për t’i pasuruar artistikisht këto figura të thjeshta, artisti i ka stolisur
me korniza të bukura të trefishta, mbushur me motive gjeometrike e shirita të gërshetuar, me
medalione të vegjël si vargje prej rruazash ari ose lilanë të stilizuar, të gjitha prej ari, mbi
sfondin e purpurtë, me një ton si në blu të errët.
Këto stolisje të kornizave me motivet e tyre të stilizuara florale e gjeometrike, përbëjnë një
zbukurim artistik jo të zakonshëm, i cili, si pjesë përbërëse e pandarë e kompozimit në tërësi,
ia rrit vlerën artistike figurës së pikturuar. Pa këto dekorime të pasura e të bukura të kornizave
të gjera, figurat do të paraqiteshin tepër të varfëra, si të cunguara.
Nga katër vinjetat e kodikut ruhen vetëm tri, të vizatuara edhe këto në formë katërkëndëshi
kënddrejtë, prej katër brezash të mbushur me motive gjeometrike e florale të stilizuara, me
motive shtesë brenda medalionesh të vegjël, ose me motivin e sovajkave, të vendosura në
formë zigzagu. Piktori ka krijuar me to trekëndëshe. Fushat e brendshme të vinjetave kanë
titullin e ungjillit përkatës. Tek ajo e Ungjillit sipas Lukës ky është shkruar në formë kryqi
përfshirë prej një linje të trashë. Tek vinjeta e Ungjillit sipas Markut titulli përfshihet prej dy
rrathësh të mëdhenj dhe tek ajo e Ungjillit sipas Gjonit – brenda një fushe katërkëndëshe.
Duke u mbështetur në kaligrafinë me shkronja të vogla ari dhe në tipin korsiv të vjetër të
shkronjave, në inicialet e pazhvilluara, në motivet gjeografike e florale të stilizuara të kornizave,
si dhe në linjën elegante të trajtimit të figurave, mendojmë që kodiku Beratinus-2 mund t’i
atribuohet gjysmës së dytë të shekullit të nëntë dhe mund të shkojë deri nga dekadat e fundit
të atij shekulli. Në favor të këtij datimi mendojmë se flet edhe ngjashmëria e kodikut tonë me
kodikë të huaj si Cod. Gr. 53 i shën Peterburgut, që K. Witzman e daton te shek. të 20-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve