BETEJA E MARICËS
✤ (1371). Ndeshja e parë e armatosur e një koalicioni sundimtarësh ballkanas me invazorët osmanë. Pas rënies së Adrianopojës në duart e osmanëve dhe dendësimit të inkursioneve drejt viseve të brendshme të Ballkanit, për të mënjanuar rrezikun e ekspansionit të mëtejshëm osman, një ushtri feudalësh serbë, maqedonas dhe builgarë u doli përballë osmanëve në luginën e l.Marica në Traki; midis tyre ishte edhe sundimtari i Vlorës Aleksandri me forcat e veta. Ushtria e koalicionit arriti në një forcë prej afro 60.000 vetash nën komandën e sundimtarëve serbë Vukashin e Uglesha, ndërsa ajo osmane nuk kish më tepër se 15.000 veta nën komandën e Evrenos beut.
Osmanët, duke përfituar nga taktika e sulmeve të papritura kundër ushtrisë së rëndë feudale të ballkanasve, e zunë atë në befasi pa gdhirë ende dita. Beteja u zhvillua më 25-26 shtator 1371 dhe mbaroi me disfatën e sundimtarëve ballkanas, shumë prej të cilëve u vranë, midis tyre me sa duket edhe Aleksandri i Vlorës. Me këtë fitore u konsolidua përfundimisht pushteti i osmanëve në Ballkan dhe filloi vargu i pandërprerë i inkursioneve dhe i pushtimeve drejt viseve perëndimore, midis tyre edhe tokave shqiptare.
(P.R.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Beteja E Maricës
[cite]