BIRRA
✤ Pije alkoolike, jo e fortë, e përftuar nga fermentimi i mushtit të maltos së elbit (shpesh me shtesa mielli misri, orizi etj.) së cilës i jepet shija e aroma me sumbullare (Humulus lupulus) nën veprimin e majave speciale. Mushti i B. përgatitet duke bluar elbin e mbirë e të tharë të quajtur malto dhe duke e përzier me ujë të ngrohtë. Në përzierjen ndodhin procese tharmëtimi dhe si pasojë një pjesë e lëndëve të thata kalon në tretësirë. Përzierja filtrohet për ndarjen e mushtit i cili viohet me sumbullare, pastaj kjo veçohet dhe mushti ftohet. Ai i nënshtrohet fermentimit të parë në 5°-10°C për 7-11 ditë si dhe fermentimit të dytë për 11-90 ditë nën trysninë e gazit karbonik i cili e ngop B., e kthjellon dhe i përmirëson shijen. B. e gatshme filtrohet, ngopet përsëri me gaz karbonik dhe futet në fuçi ose shishe. Llojet e B. dallohen nga ngjyra, shija, aroma si dhe nga përmbajtja e lëndëve ushqyese dhe e alkoolit etilik. B. përmban në përqindje: alkool etilik 1,8-6 (zakonisht 3,5), gaz karbonik 0,3-0,4, ekstrakt 5,5-11, ujë 80-89. Një litër B. jep 400-800 kalori. Industria e hirrës (shih) prodhon disa lloje B. (e verdhë, e zezë, speciale etj.) pjesa më e madhe e së cilës ambalazhohet në shishe e një pjesë në voza druri.
(K.Po.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Birra
[cite]