BISTRICA


BISTRICA
✤ (Haonis). Lumë në J. të Shqipërisë, në rrethin e Sarandës. Ka gjatësi 31.5 km, sipërfaqe të pellgut 447 km2, lartësi mesatare 464 m dhe rënie të shtratit 18m/km. Lumë i shkurtër që ushqehet nga ujërat nëntokësore. Fillon në burimet karstike të Syrit të Kaltër. (shih) që dalin në shpatin P të Malit të Gjerë, nën Qafën e Muzinës, Në Krongj derdhet përroi i Vrisit, dega kryesore dhe vazhdimi i B., e cila këtu merr drejtim nga JP, mbledh ujërat e përroit të Kardhikaqit dhe të degëve të tjera që kanë ujë vetëm në kohë shirash, kalon në një reliev malor me rrjedhje të rrëmbyer dhe me brigje të larta derisa del në zonën fushore. Këtu vazhdon të rrjedhë me shpejtësi. Pellgu i B. përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë, flishi dhe molasa, mbizotërojnë shkëmbinjtë e përshkueshëm që mbulojnë 60% të pellgut.

Më parë ujërat e B. përhapeshin nëpër fushën e Vurgut në disa degë, duke shkaktuar përmbytje dhe derdheshin në V të Liqenit të Butrintit. Më 1959, me sistemimin e fushës së Vurgut (shih) shtrati i B. u kanalizua që nga ura e Kranesë e deri në det. Tani, pasi mbledh ujërat e Kalasës, përroit të Delvinës dhe Gajdarit në një shtrat të vetëm të kanalizuar, B, bën një kthesë në Çukë nga VP dhe nëpërmjet Kanalit të Çukës derdhet në detin Jon rreth 3 km në J. të Sarandës. B. ka ujëra të tejdukshme, të ftohta, me temperaturë 12.9°C, me sasi të bollshme uji gjatë verës, me mineralizim mesatar. Ka prurjen mesatare 23.9 m3/sek (Krane) me modul 221 1/sek për krn2. Ujërat e grumbulluara në ujëmhajtësin artificial të Krongjit shfrytëzohen me dy shkallë nga HEC «J. V. Stalin» (shih) si dhe nga kanali ujitës «Thoma Filipeu» (shih) dhe përdoren për ujitjen e fushës së Vurgut.

(R. S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bistrica


[cite]