Bonifaci
(greqisht: Βονιφάτιος) Bonifaci (680-755) ka lindur në një familje aristokrate në krahinën e Devonshit në vitin 680. Në moshën 30-vjeçare u hirotonis prift dhe filloi punën misionare tek fiset fride për t’i bërë të krishterë. Misioni i tij nuk pati sukses sepse fiset fride në atë kohë qenë në luftë me frankët. Atëherë Shën Bonifaci u detyrua të kthehej në vendlindjen e tij në Angli ku u zgjodh igumen i një manastiri, por ideja e kristianizimit të gjermanëve nuk e linte të qetë. Në vitin 719 shkoi në Romë, ku u prit mirë nga ana e papës, i cili i dha fuqi të plota misionare. Me t’u kthyer u nis përsëri tek fiset fride, për të ndihmuar murgun anglosakson Vilibrand, por pas një mosmarrëveshje me këtë të fundit, ai shkoi në krahinën e Hesit, ku punoi me shumë zell dhe pati sukses. Duke menduar se me cilësinë e episkopit, do të kishte më shumë autoritet në misionin e tij, Bonifaci i kërkoi papës që ta bënte episkop të gjermanëve. Kjo u bë realitet në vitin 722, atëhere kur papa e dorëzoi atë në gradën episkopale, por pa rezidencë të përhershme. Duke parë suksesin e autoritetin e tij, papa e bëri Bonifacin episkop të gjermanëve në vitin 737. Bonifaci krijoi tre qendra episkopale me në krye misionarët më të mirë anglosaksonë, të cilët e kishin shoqëruar gjatë kristianizimit të fiseve gjermane. Për të përsosur jetën monakale, Bonifaci themeloi manastirin e famshëm të Fludës. Duke e vendosur rezidencën e kryepiskopatës në Mainz, ai bëri që të gjitha fiset gjermane të kenë një qendër të vetme. Pasi kishte udhëhequr me sukses të plotë për dhjetë vjet kishën gjermane, Bonifaci kujtoi ëndrrën e rinisë së tij, për të vazhduar punën misionare për kristianizimin e fiseve fride. Suksesi këtë radhë ishte shumë i madh. Mjaft fridë u konvertuan në kristianizëm, por kjo gjë shkaktoi zemërimin e pjesës së fridëve të mbetur paganë. Një ditë kur Bonifaci priste që të vinte një numër i madh fridësh për t’i pagëzuar, në vend të tyre u ndesh me një turmë fridësh paganë, të cilët e masakruan së bashku me shoqëruesit e tij në vitin 755. Në këtë mënyrë e dha jetën e tij si martir, apostulli i gjermanëve Shën Bonifaci.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Teodor Papapavli, Historia e Krishterimit, (Dispensë), Tiranë 1994, faqe 20.