BOROVA
✤ Fshat në rrethin e Kolonjës (J), në te dy anët e rrugës automobilistike Ersekë-Leskovik. Bën pjesë në fshatin e bashkuar Novoselë (shih). Pranë B. janë zbuluar gjurmët e një vendbanimi protoqytetar dhe qytetar ilir të shek. VII-IX p.e.r. Nga B. kanë dalë disa veprimtarë të Rilindjes Kombëtare. Fshatarët e B. morën pjesë aktive në Luftën ANÇ. Pushtuesit gjermanë, që u pritën me armë nga forcat partizane të çetës «Tomorri» dhe të tri çetave territoriale të Kolonjës, më 6 korrik 1943, si hakmarrje masakruan 107 gra, pleq e fëmijë dhe e rrafshuan B. Për të përkujtuar këtë ngjarje në qendër të fshatit është ngritur monumeti dhe muzeu, janë botuar librat «Borova flet» dhe «Borova».
Pas Çlirimit B. u rindërtua tërësisht e re. Më 23 gusht 1960 atë e vizitoi sh. Enver Hoxha. B. bën pjesë në koop. e bashkuar «Partizani», Ka shkollë të ciklit të ulët, vatër kulture, ambulancë, pika të shërbimit tregtar e komunal. BORSHI. Fshat në rrethin e Sarandës (VP), buzë detit Jon. Qendër e fshatit të bashkuar, që përfshin edhe fshatrat Fterrë e Çorraj me popullsi gjithsej 1751 banorë. Është fshat i lashtë. Në shek. IV p.e.r. u themelua kështjeila, që në mesjetë njihej me emrin Kështjella e Sopotit. Kështjella ka mure 3 m të trasha, të punuara me blloqe të mëdha guri dhe zë 5 ha. Gjatë mesjetës përmendet për herë të parë më 1258. Në këtë periudhë u ndërtuan banesa jashtë mureve të kështjellës dhe më 1417 u pushtua nga osmanët. Për të janë bërë një varg betejash ndërmjet kryengritësve himariotë e pushtuesve (si më 1481, 1488 etj).
Më 1914 B. i vjetër u dogj krejt nga bandat shoviniste greke, banorët shkuan refugjatë në Vlorë dhe u kthyen pas disa vjetësh duke ngritur lagjet e sotme. Gjatë Luftës ANÇ janë zhvilluar beteja të shumta e të përgjakshme kundër pushtuesve italo-gjermanë dhe tradhtarëve të vendit, sidomos gjatë Operacionit të Dimrit 1943-44 dhe Operacionit të Qershorit 1944. Këshilli NÇ u ngrit në maj 1943, po në këtë kohë u ngrit edhe njësiti gueril. U çlirua në shtator 1944. Para Çlirimit fusha e Borshit ishte kënetë dhe e mbuluar me shkurre. Banorët vuanin nga malarja. Pas Çlirimit fusha u bonifikua dhe u shpyllëzua. Sot ajo është e mbjellë e tëra me agrume e ullinj dhe përbën një sektor të NB «Lukova». Koop. bujqësore u ngrit më 1955, më 1957 u formua koop. e bashkuar me qendër në B. Drejtimi kryesor i ekonomisë është rritja e agrumeve, e ullinjve. Në 1957 është ndërtuar një hidrocentral. Ka shkollë të mesme bujqësore, vatër kulture, spital, pika të shërbimit tregtar e komunal, dhe një lokal mbi burimin në qendër. Në lagjen e poshtme Shkallë ka një plazh dhe mjedise për pushimin e punonjësve. Kështjella e Sopotit është monument kulture.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Borova