BOZA
✤ Pije freskuese e ëmbël dhe majhoshe, acidolaktike, që përftohet nga mielli i drithit, kryesisht melit e misrit. Është prodhuar për herë të parë prej meli nga shqiptarët që në mesjetë. Ata e kanë përhapur edhe në vende të tjera, sidomos në vendet e Ballkanit, në Anadoll, në Krime, Kaukaz etj. Ka disa lloje B. sipas lëndës së parë nga e cila përgatitet, aromatizimit, përmbajtjes së lëndëve të thata, sheqernave, veshtullisë, aciditetit etj. Sot B. prodhohet nga përzierja e miellit të misrit të verdhë dhe grurit që ziehet me ujë deri në quilëzim të plotë. Qulli i përftuar hollohet me ujë dhe pasi ftohet në temp. rreth 20°C i shtohet majaja laktike (bozë në fermentim). Tharmimi kryhet brenda 8-12 orëve dhe pastaj B. filtrohet, ftohet dhe i shtohet 10% sheqer. (K. O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Boza


[cite]