BRANDI EFTHIM
✤ (1817-1882). Atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Lindi në Korçë. Veprimtarinë në shërbim të çështjes kombëtare e zhvilloi në mërgim, kryesisht në Egjipt, si bashkëpunëtor i Th. Mitkos dhe Th. Kreit. Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botoi një sërë artikujsh në shtypin grek, me të cilët denoncoi përmbajtjen antishqiptare të traktatit të Shën Stefanit dhe vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit. Më 1880 botoi në Athinë trajtesen me karakter publicistik Ankimet shqiptare (Alvanika Parapona). Ashtu si Th. Mitkoja, edhe E.B.mbronte në këtë broshurë tezën se shqiptarët dhe grekët rrezikoheshin njësoj nga lakmitë e shteteve sllave, se asnjëra nga të dy palët nuk mund të shpresonte te Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë bashkëpunim e pengonin vetëm qarqet zyrtare greke, të cilat kujtonin pa të drejtë se me zhvillimin e saj lëvizja kulturore shqiptare do ta pakësonte shkëlqimin e helenizmit. Vdiq në Egjipt.
(K. F.—N. Th.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Brandi Efthim
[cite]