BREGU I MATIT
✤ Fushë në rrethin e Lezhës, midis bregut të djathtë të Matit të poshtëm në J dhe Lezhës në V. Në anën L. kufizohet nga kodra, ndërsa në P përfundon në Adriatik, me një bregdet të tipit lagunor. Është e rrafshët dhe e ulët (0-10 m mbi nivelin e detit). Ka klimë mesdhetare me dimër të butë (janari 7°C) dhe verë të nxehtë (korriku 23.6°C). Para Çlirimit fusha e B. të M. mbulohej me këneta dhe moçale të formuara nga vërshimet e Matit dhe të Drinit të Lezhës. Pas Çlirimit, më 1960-1965, B. i M. deri në Lezhë u bonifikua dhe u sistemua duke hapur mbi 700 km kanale kulluese e ujitës. U ngrit edhe një hidrovor, si dhe një kanal i madh ujitës nga lumi Mat deri në Lezhë. U fituan 1600 ha tokë e re nga ish-kënetat, u përmirësua kullimi edhe në 5200 ha. B. i M. tani punohet tërësisht dhe përmendet për prodhimin e drithërave të bukës, bimëve industriale, pemëve, perimeve etj. Qendrat kryesore të banuara janë: Ishull-Lezha, Zejmeni, Treshi, Pllana, Talja etj.
(P. G.—Dh. V.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bregu I Matit
[cite]