Bullgarët e Krishterë
Kristianizmi i bullgarëve u bë në këto rrethana: Një motër e mbretit bullgar Boris u zu robinë nga bizantinët në luftë dhe e çuan në Kostandinopojë, ku u trajtua me shumë dashamirësi nga perandoresha Teodora. Ajo pranoi të kalonte në fenë e krishterë duke u pagëzuar me emrin Maria. Kur u kthye në Bullgari u përpoq të bindte të vëllanë, mbretin Boris, për t’u pagëzuar. Pagëzimi i tij, u bë në një ceremoni madhështore në kishën e Ballshit dhe nuni i tij, u bë perandori bizantin Mihali III (842-867) me anën e një përfaqësuesi të tij. Borisi (852- 889) mori emrin e nunit, Mihal. Gjatë luftës së parë botërore një oficer austriak i quajtur Kamila Prashniker zbuloi në Ballsh të Mallakastrës një pllakë guri me një mbishkrim në greqishten bizantine. “U pagëzua sundimtari i Bullgarisë Borisi Car, i quajtur Mihal, së bashku me popullin e tij, të dhënë prej Perëndisë në vitin 6374.” Kjo datë është dhënë sipas kalendarit bizantin ku sipas kalendarit të ri Grigorian i përket vitit 866 pas Krishtit. Shembullin e Borisit e ndoqi i gjithë populli. Vite më vonë princi Boris i kërkoi Patrikut të Kostandinopojës, Fotit, që ta shpallte patriarkanë të pavarur Kishën e Bullgarisë. Foti refuzoi nëpërmjet heshtjes, atëherë Borisi e adreson të njëjtën kërkesë te papa Nikolla. Ky i fundit i ktheu përgjigje duke pranuar të hirotonisë në Bullgari jo një patrik por kryeepiskop. Misioni papal që mbërriti në Bullgari, i kërkoi Borisit dëbimin e misionarëve bizantinë. Këta të fundit e informuan Fotin në lidhje me çështjen e Kishës Bullgare se atje qenë përhapur inovacionet perëndimore. Atëherë patriku Foti mblodhi një sinod lokal në Kostandinopojë ku dënoi veprimet antikanonike të papës. Me qarkoren e tij, Foti i informoi edhe patrikët e tjerë duke i ftuar të miratonin vendimin e përbashkët. Në vitin 867 Foti në enciklikën e tij e akuzonte papën Nikolla I për herezi dhe preu me të çdo lloj komunikimi. Vite më vonë një sinod, që u mbajt në kryesinë e përfaqësuesve të papës, e dënoi Fotin. Gjatë seancave të fundit të sinodit patriku Ignat, u njoftua për një rikthim të bullgarëve. Princi Boris kërkoi nga kisha bizantine që t’i emëronte një kryeepiskop. Ignati nuk i përfilli kërkesat e përfaqësuesve të papës dhe i pranoi bullgarët me entuziazëm.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)