BYLISI
✤ Qytet ilir pranë fshatit Hekal të Mallakastrës. U zhvillua në shek. IV p.e.r. si kryeqendër e fisit ilir të bylinëve, të cilët i përmend në këtë kohë Skylaksi si fqinjë të amantëve. Kishte sipërfaqe 30 ha, të rrethuar me mur të tipit katërkëndësh me 7 hyrje e 7 kulla. Në shek. III-II p.e.r. B. lulëzoi si qendër politike, ekonomike e kulturore e bashkësisë (koinonit) të bylinëve, në të cilën bënin pjesë dhe Nikaia (shih), e qytetet në Gurzezë, Margëlliç (rrethi i Fierit) e Rabie (rrethi i Tepelenës). Qeverisej nga një këshill (buleja) dhe nëpunës të përvitshëm. Preu monedha bronzi më 230-146 p.e.r. që u përdorën në trevën e bashkësisë dhe jashtë saj. Punishtet shtetërore e private të B. konkuronin prodhimet e Apolonisë në këtë trevë. Në shek. III p.e.r. u sistemua dhe u ndërtua agoraja (qendra) e qytetit prej 4 ha, ku ngrihej teatri me rreth 9000 vende, stadiumi, gjimnazi etj. Pas pushtimit romak u përfshi në provincën maqedone, por e ruajti autonominë bashkë me rrethinat deri në shek. I të e.r., kur u kthye në koloni romake. U rifortifikua në shek. IV e.r. Pas rrënimit të Apolonisë në shek. V-VI u bë qendra kryesore midis Shkumbinit e Vjosës. Në filim të shek. V u vendos në B. peshkopata e B. dhe e Apolonisë. Gërmimet janë bërë më 1978-1983 dhe kanë zbuluar ndër të tjera një bazilikë peshkopale të shek. V me mozaikë që kanë motive paleokristiane. Në shek. VI u rifortifikua në një sipërfaqe prej 10 ha dhe del si qendër e vetme peshkopale. B. u rrënua gjatë dyndjeve barbare të shek. VI dhe nuk u rimëkëmb më. Qendra peshkopale u shpërngul në Ballsh.
(N. C.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Bylisi
[cite]