CEDRI
✤ (Cedrus L.). Dru i familjes pishore (Pinaeeae), deri 50m i lartë, me gjethe të qëndrueshme, zakonisht trikëndëshe, të ashpra e me majë, me lule njëseksuale. Gathët mashkullorë 3.5 cm të gjatë e cilindrikë çelin në majën e bisqeve të shkurtra, gathët femërorë janë më të vegjël e të rrumbullakët, çelin të veçuar në bisqe të shkurtra, bëjnë frut një boçe vezake të drejtuar përpjetë me mëlluga që me t’u pjekur boçja bien. C. është një nga drurët që jeton më shumë, rreth 2000 vjet.

Në Shqipëri C. haset me 3 specie: C. i Atlasit (C. atlantea), C. i Libanit (C. Libanit), C. i Himalajeve (C.deodara), më të shpeshtë dy të fundit. C. i Libanit është dru i lartë deri 40 m., me degë të trasha horizontale, me lëvore të murrme e të çarë, me gjethe të forta, të errëta e të grumbulluara 30-40 së bashku, gathët mashkullorë me ngjyrë të verdhë të drejtuar përpjetë, ata femërorë me ngjyrë të kuqe kur çelin e më vonë të verdhëremë, lulëzojnë në nëntor-mars. Boçet me bisht, i pjek pas një viti. C. kërkon klimë mesdhetare malore, është i qëndrueshëm kundrejt thatësirave verore, rritet dhe në toka të varfra. Shumëzohet me farë ose fidanë 2-3 vjeçarë. Është i përhapur si dru zbukurimi në parqe e lulishte dhe është i çmueshëm për pyllëzime. Druja e C. nga ngjyra ndryshon sipas Ilojit, mban erë të këndshme, është e butë, e qëndrueshme, me rrëshirë, e lehtë në të punuar, përdoret për orendi dhe për sende. (A.Pos.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Cedri


[cite]