CENTRALET ELEKTRIKE


CENTRALET ELEKTRIKE
✤ Qendra që shërbejnë për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas burimit energjetik që përdorin dallohen: termoelektrocentralet (TEC me turbinë avulli, që prodhojnë edhe avull, me turbina gazi etj.); hidroelektrocentralet (HEC), C.E. diellore, C.E. gjeotermale, si dhe C.E. atomike, që janë një nga llojet e TEC-eve. Në kohën e sotme më të fuqishëm janë HEC. C.E. i parë i ngritur në Shqipëri më 1914, ishte shumë i vogël, kishte një gjenerator të rrymës së vazhduar e me motor me djegie të brendshme, që furnizonte një pallat në Durrës. Më 1920 u ngrit në Tiranë një C.E shumë i vogël, që i jepte energji një ofiçine dhe parlamentit të atëhershëm, ndërsa në 1921-23 u ngrit C.E. i vogël i shkollës teknike, që ndriçonte edhe rrugën 28 Nëntori në Tiranë. Më 1925 u ngrit i pari HEC i vogël në Korçë. Më vonë u ndërtuan edhe disa C.E. të tjera të vogla nga shoqëritë aksioniste të huaja e të vendit (SITA, SESA, Stamles etj.) për ndriçimin e Tiranës, Durrësit e disa qyteteve të tjera. Në fund të v.1938, këto shoqëri kishin në qytete të ndryshme të Shqipërisë 15 C.E. të vogla e të veçuara, me fuqi të përgjithshme 3400 kW, që prodhonin rreth 9 milionë kW/orë në vit, pra rreth 10 kW për frymë të popullsisë. Tre nga këto C-E. me fuqi 1220 kW ishin në Tiranë. Gjatë pushtiinit fashist në minierat dhe fushat e naftës, që shfrytëzoheshin barbarisht nga të huajt, u shtuan edhe disa C.E. me motorë me djegie të brendshme me fuqi gjithsej 1500 kW. Pjesa më emadhe e tyre u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë nga lufta. Prodhimi i energjisë elektrike në fund të v.1944 nuk ishte as sa gjysma e v.1938.

Pas Çlirimit duke hyrë në rrugën e ndërtimit të një ekonomie të madhe socialiste, me plane perspektive e sidomos të një industrie shumëdegëshe, lindën kushtet objektive për ndërtimin e C.E. që do të sillnin zhvillimin e vrullshëm të kësaj dege dhe elektrifikimin (shih) e të gjithë vendit. U projektuan në vend dhe u ndërtuan shumë C.E. veçanërisht hidroelektrocentrale, që krahasohen me më të mëdhatë e Evropës, në bazë të të cilave u zhvillua me përparësi hidroelektroenergjetika (shih), si dhe termoelektrocentrale që zhvilluan termoelektroenergjetikën (shih). Si rrjedhojë fuqia e C. E. u rrit së tepërmi në krahasim me v. 1938 duke dhënë më 1984 një prodhim të energjisë elektrike prej 3.8 miliardë kWh, afro 409 herë më të madhe. Duke vënë në jetë politikën e PPSH dhe mësimet e sh.Enver Hoxha është ecur me ritme të shpejta në ndërtimin e C.E., që sollën një rritje vjetore të prodhimit të energjisë elektrike më të madhe sesa rritja e prodhimit industrial dhe krijuan kushtet për zhvillimin e modernizimin e tërë ekonomisë së vendit mbi bazën e elektrifikimit.

(R.Ça.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Centralet Elektrike


[cite]