CENTRALIZMI DEMOKRATIK


CENTRALIZMI DEMOKRATIK
✤ Parim udhëheqës i vënë në themel të organizimit të shtetit, të veprimtarisë shtetërore dhe të mbarë jetës politike e ekonomike të RPS të Shqipërisë (neni 11 i Kushtetutës). Zbatimi i parimit të C.D. bën të mundur që drejtimi i përqendruar i çështjeve shtetërore kryesore nga ana e organeve qendrore e të bazës politike të ndërthuret në shkallën më të lartë me nismën krijuese të organeve lokale e të masave punonjëse, të cilave u sigurohet pjesëmarrja e gjerë dhe e gjithanshme në qeverisjen e vendit.

Drejtimet kryesore të shfaqjes konkrete të C.D, në organizimin dhe veprimtarinë e shtetit të diktaturës së proletariatit në RPSSH janë: formimi i organeve të bazës politike dhe i organeve të tjera kryesore të aparatit shtetëror me zgjedhje drejtpërdrejt nga vetë populli ose nga organet përfaqësuese të tij; detyrimi i këtyre organeve për të dhënë llogari përpara zgjedhësve ose organeve që i kanë formuar ato e për t’iu nënshtruar kontrollit të tyre të vazhdueshëm; vartësia e dyfishtë e organeve të administratës e të formave të tjera të veprimtarisë shtetërore nënligjore, nga organet përfaqësuese që i kanë formuar ato, ashtu edhe nga organet e tyre eprore të të njëjtit sistem; detyrimi i organeve më të ulëta për të zbatuar udhëzimet e organeve më të larta etj.

(Z.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Centralizmi Demokratik


[cite]