DAJÇI
✤ Fshat i rrethit të Shkodrës (JP), në krahun e majtë të 1. Buna, në fushën e Bregut të Bunës. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat: Belaj, Darragjat, Mushan, Mali i Gjymtit, Pentar, Rrushkull, Samrish, Suka-Dajçit, Shirq e Samrishi i Ri, popullsia gjithsej 5945 banorë. Përmendet në burime të shkruara që në shek. XIII. Pas tërmetit të 15 prillit 1979 në jug të fshatit të vjetër është ndërtuar një pjesë krejt e re, D. i ri. Këshilli NÇ është ngritur në nëntor 1944, u çlirua më 20.11.1944. Kolektivizimi i bujqësisë është bërë më 1957. Është qendër e KTL, «Hero i punës socialiste.». Ka drejtim kryesor prodhimin e drithërave të bukës dhe të perimeve, dallohet për rendimente të larta në misër duke marrë në gjithë sipërfaqen 90.7 kv/ha. (shih: KTL e Dajçit). D. ka shkollë të mesme bujqësore, muze, shtëpi kulture, qendër shëndetësore, njësi të shërbimit tregtar e komunal.

✤ Fshat i bashkuar në rrethin e Lezhës, në zonën e Zadrimës. Qendër e fshatit të bashkuar ku hyjnë edhe fshatrat: Dragushë, Kotërr, Mabë, Gramsh, Zojz dhe Kodhel. D. është vendbanim i lashtë, janë gjetur rrënoja muresh dhe monedha të kohës së Gentit. Këshilli NÇ u ngrit më 21.10.1944. Fshati u çlirua më 22.11.1944. Bën pjesë në KTL «Enver Hoxha», Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i drithërave të bukës, i lulediellit dhe rritja e lopëve dhe e gjelit të detit, D. ka shkollë 8-vjeçare, muze, shtëpi kulture, qendër shëndetësore, pika të shërbimit tregtar a komunal. Në shpatin P. të kodrave ka qenë një fshat i vjetër, Kryth, i cili përmendet më 1321 bashkë me D. Banorët dogjën më 1910 sarajet e sundimtarëve turq të Zadrimës.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Dajçi


[cite]