DESHATI
✤ Mal në vargun malor të Korabit, në rrethin e Dibrës, me lartësi 2372 m (Velivari). Shtrihet në skajin JL të këtij vargu midis pellgut të Dibrës në J (Gryka e Radikës), luginës së përroit të Banjave në V, luginës së Drinit të Zi në P dhe luginës së Radikës (dega e djathtë e Drinit të Zi) në L. Nëpër kurrizin ujëndarës të D. kalon vija kufitare. Është i ndërtuar kryesisht nga flishi dhe pjesërisht nga gëlqerorë të mesozoit, me strukturë luspore e bllokore, ka formë të zgjatur, pothuajse V-J, me reliev relativisht të butë. Dy majat kryesore janë Velivari e Kërçina (2342 m), me forma tipike kubeje. Shpatet e D. janë skalitur nga cirqet akullnajore, sidomos ato të shpatit L (jashtë kufirit). Ka bimësi të zonës së dushkut (700-1000 m), ahut (deri 1600-1700 m.) dhe kullota të pasura alpine (mbi 1700 m). Në rrëzë të Kërçinës (Kërçisht) ka squfur.

(Gj. G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Deshati


[cite]