DEVONIANI


DEVONIANI
✤ Periudha e katërt e erës paleozoike, naërmjet silurianit (shih) dhe karboniferit (shih), që ka zgjatur në kohë rreth 50 milionë vjet (nga para 395 milionë deri në para 345 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë sistemin D. Ndahet në D. i poshtëm me katet (shekujt gjeologjikë) zhedinian dhe koblencian, D. i mesëm me katet eifelian dhe zhivetian dhe D. i sipërm me katet frasnian e famenian.

Gjatë D. me klimë të nxehtë e të thatë, por me një stinë shirash, treva mesdhetare dhe Albanidet mbuloheshin nga deti, në të cilin u zhvillua shumë fauna, sidomos peshqit me mburojë dhe gaforret gjigante, lloje të ndryshme butakësh, trilobite si dhe zambakë detarë. Disa jokërbishtorë detarë iu përshtaten jetës në stere, duke u kthyer në amfibë. Po në stere u zhvilluan bimët me rrënjë dhe gjethe të vërteta. Gjatë D. në Albanidet, siç vërehet në Zonën e Korabit, u formuan shkëmbinj sedimentarë terrigjenë, si rreshpe deltinore-strallore, ranorë e konglomerate si dhe gëlqerorë të bardhë, rozë, të zinj, të cilët më vonë u kthyen në mermere.

(V. Me.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Devoniani


[cite]