Dhjata e Re Dhjata e Re:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Libër i shkrimeve të shenjta të krishtërimit, pjesa e dytë e Biblës. Dhjata e Re përmban shkrimet mbi jetën dhe veprat e Jezu Krishtit, si dhe mësimet e kishës së parë. Dhjata e Re përmban 27 libra. Përfshin katër ungjijtë: sipas Mateut, sipas Markut, sipas Lukës dhe sipas Gjonit, si dhe “Punët e Apostujve”, letrat dhe Zbulesën. Në shkrimet ungjillore të Kishës romane Dhjata e Re përfshin edhe “Apokalipsin”. Shkrimet burimore të Dhjatës së Re janë në greqisht. Librat kanonikë të Dhjatës së Re dhe renditja e tyre është vendosur e konsoliduar në shekullin e 4-t. Sinonime të këtij emërtimi janë:Testamenti i Ri, Besëlidhja e Re, Ligji i Ri etj. Në teologjinë hinduse Dhjatës së Re i përgjigjet “Bagavad Gita” ose shkurt “libri i Gita-s”, që është pjesë e epit të Mahabharata-s, sido që nuk janë të njëjtë. Analogjikisht, Dhjatës së Vjetër në teologjinë hinduse i përgjigjet pjesa e parë e të njëjtit ep, Upanishadat, ose Vedat vedanta (Eliade). Gjithë Bibla u përkthye në latinisht në shekullin e 4-t nga Shën Jeronimi (Hieronymus), i njohur ndër shqiptarët edhe si Shën Gjëri. Ky ishte përkthimi i vetëm i njohur zyrtarisht nga Kisha romane deri në kohën e Reformës (shekulli i 16-të). Njihet me emrin “Vulgata”.

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]