DIABAZI
✤ Shkëmb magmatik bazik, i përbërë nga plagjioklazi, augjiti e minerale të tjera. Ka strukturë ofitike me madhësi të ndryshme të kokrrizave minerale me ngjyrë të gjelbër të errët. Në bazë të përbërjes veçohen D. i zakonshëm, që përmban plagjioklaz bazik e piroksen monoklin, D. me titanaugjit dhe D. olivinik. Në shkëmbinjtë vullkanikë paleozoikë e triasikë ka edhe D. albitik. Në Shqipëri D. është shkëmb mjaft i përhapur në zonën tektonike të Mirditës dhe takohet në trajtë trupash shkëmborë të vegjël intruzivë e në trajtë dejesh, në trajtë lave jastëkore, tufaglomerati etj. Në llojet e ndtyshme të D. ka vendburime dhe shfaqje xeherorësh sulfurorë të bakrit, zinkut etj. D. mund të përdoret si lëndë ndërtimi dhe për prodhimin e gurëve të derdhur.

(I.Tu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Diabazi


[cite]