(Term nga Kodikët e Shqipërisë)
Nga gr. “diptykhos”, i palosur në dysh, dyfletësh. Në lashtësi diptik quhej një regjistër publik i përbërë nga dy tabela. Më pas mori kuptimin e një vepre arti të përbërë prej dy panelesh, të fiksuara ose të lëvizshme. Secila pjesë e diptikut përbën një vepër arti më vete. Kjo është e vlefshme të thuhet edhe për triptikun. Në Mesjetë ka kuptimin e një ikone që paloset më dysh dhe u paraqitet besimtarëve në raste të kremtesh të veçanta. I mirënjohur është “Diptiku i Kishës së Shën Gjergjit” në Berat, ku gjendet shënimi për beratasin Skouripekis dhe zonjën konteshë, që, së bashku me murgun Theodulo, shpëtuan 27 kodikë nga më të vjetrit prej sulmit të ushtrive të car Uroshit (1356); studiuesit mendojnë se kjo është informata e parë për ekzistencën e “Beratinus-1” në këtë qytet. Në letërsinë shkencore Perëndimore transliterohet në formën “Diptyh”. Për ikonat apo shkrimet e palosura në tresh përdoret termi “triptik”, i cili ka hyrë edhe në fjalorët e letërsisë. Triptiku, si rregull, përmban tre motive nga jeta e Jezuit, prej lajmërimit të Shën Mërisë nga kryeengjëlli Gabriel për lindjen e afërme të Mesisë, deri tek ringjallja. Eshtë i mirënjohur, për shembull, “Diptiku i Wiltonit” / “Dyfletëshi i Wiltonit”, viti 1395, në të cilin paraqitet Rikardi i 2-të, për të cilin Shën Gjon Pagëzori, Shën Eduard Rrëfyesi (Konfesori) dhe Shën Edmundi i luten Krishtit ta pranojë dhe bekojë. Në njërën fletë paraqiten tre shenjtët dhe Rikardi i 2-të, kurse në tjetrën Shën Mëria me Krishtin fëmijë. Në krye lart duket flamuri i kryqëzatave, me fushë të bardhë dhe kryq të kuq. Dy nga shenjtorët, Rrëfyesi dhe Edmundi, janë mbrojtës të familjes mbretërore (për më gjerë, tekst dhe ilustrime, shih:E. Gombrich, “Historia e artit botëror”, Tiranë 1996, f. 215-216).
Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë