DIVIZIONI I MBROJTJES SË POPULLIT
✤ Njësi e bashkuar operative nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që kishte për detyrë zbulimin e asgjësimin e bandave të armatosura të kriminelëve të luftës dhe të armiqve të tjerë. U krijua në dhjetor 1944 mbi bazën e ‘tri brigadave të Mbrojtjes së Popullit, që ishin formuar në nëntor 1944. Në përbërjen e tij kishte edhe reparte speciale: dy batalione kufiri — një në Korçë e një në Delvinë, batalioni i shkollës, kompanitë speciale në Kuçovë (sot Qyteti Stalin), Tiranë, Durrës, Vlorë dhe skuadra e kavalerisë. Më 1947 ai u riorganizua mbi bazën e qarqeve e të rretheve (u shkri në komandat e qarqeve dhe në disa qendra në nënprefektura). Ai kishte për detyrë: të ndiqte dhe të asgjësonte kriminelët e luftës dhe armiqtë e tjerë që bënin pjesë në banda të armatosura; të ruante objektet ekonomike e administrative, organet dhe dikasteret qendrore etj; të ruante kufirin shtetëror nga ndërhyrjet e jashtme. D. i M. së P. ka dhënë një ndihmesë të çmueshme për mbrojtjen dhe forcimin e pushtetit popullor dhe të rendit socialist.
(I.V.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Divizioni I Mbrojtjes Së Popullit
[cite]