Dora dhe formimi i saj

Dorën e njeriut e kanë cilësuar me këtë shprehje: një kryevepër që bën kryevepra. Dhe me të vërtetë kështu është. Ndërtimi i dorës është një vepër e përsosur e natyrës. Eshtrat e gishtërinjve të dorës, gjithsej 14, janë të nyjëtuara e të lidhura aq bukur ndërmjet tyre, saqë ne mund t’i lëvizim e t’i për- kulim sipas dëshirës me lirësi të madhe. Pulsi i dorës është i përbërë nga 8 eshtra të vogla, me madhësinë e një lajthie. Ato mbahen në vendet e tyre të lidhura nga shumë inde të holla e të fuqishme, por që e lejojnë dorën të rrotullohet shumë lirshëm e të kryej çdo lloj lëvizjeje. Është ky ndërtim i posaçëm, që na jep mundësi që të kryejmë me të aq veprime e punë të ndryshme: të ndërtojmë vegla, makineri e pallate; të shkruajmë, të vizatojmë e të pikturojmë; t’i biem pianos e violinës; të bëjmë punime të imëta e me përgjegjësi të madhe, si, p.sh, operacione kirurgjikale e shumë e shumë të tjera.

Ai që zotëron dorën është gishti i madh. Gishti i madh ndodhet pak i veçuar nga gishtërinjtë e tjerë, ose, më mirë mund të themi se ai ndodhet përballë tyre. Pothuaj të gjitha veprimet që kryejmë me dorë bëhen me pjesëmarrjen e gishtit të madh. Provoni të ngrini një libër nga tavolina pa vënë në përdorim gishtin e madh: mund ta bëni këtë, por me shumë vështirësi; kurse me përdorimin e gishtit të madh është një veprim fare i thjeshtë. Kështu ndodh edhe për shumë e shumë veprime të tjera.

Trupi — Ynë

[cite]