DRAGOI
✤ Figurë e miteve, e besimeve popullore dhe e folklorit shqiptar. Përfytyrohej si qenie e mbinatyrshme që mbron farefisin e tij, ose bujqësinë. D. me tiparet e tij thelbësore njihej më tepër në Veriun shqiptar e deri në Dalmaci. D. paraqitej zakonisht si njeri po edhe si ka, dash, zog ferrës, këndes. Sipas përfytyrimit popullor mund të ishte një njeri krejt i zakonshëm, ose një njeri i përmendur, që zotëronte forcë të jashtëzakonshme, D. luftojnë e vdesin vetëm në përleshje me kuçedrat, D. lind me këmishë në trup dhe me fletë prapa sqetullave. Bëma e tij kryesore ishte të lironte ujërat që i kishte zënë kuçedra. Kur ndeshet me kuçedrat, shprazen rrufe me vetëtimë e bubullimë. D. luftonin edhe’ të vetmuar, po më shumë së bashku, sidomos në kohë furtunash të mëdha. Mjetet e tij të luftës ishin topuzat, shtizat (heshtat), shigjetat, gurët me birë, shpata, po sidomos parmenda a zgjedha e parmendës. «Kokrra e rrufesë» quhet edhe «guri i D.». Me kuçedrat luftojnë dhe duke shkulur drunj të mëdhenj a shkëmbinj të malit. Fëmija kërthi (dragua) lufton me djepin e tij. Vetëm kau nuk shkëputet asnjëherë nga toka, ai gërmon tokën me këmbë dhe me brirë. Në ditët e sotme, figura e D. përmendet vetëm në përrallat.

(M.TL)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Dragoi


[cite]