Drinopojë

Episkopata e ka pasur rezidencën në qytetin e vjetër të Drinopojës, i cili gjendej ndërmjet fshatrave Goricë dhe Terihat të Dropullit të sotëm. Episkopi i Drinopojës, Ypati në vitin 516, ka marrë pjesë aktive në Sinodin lokal të Epirit. Rreth vitit 516 qyteti i madh i Drinopojës u shkatërrua prej sulmeve të gotëve dhe qendra episkopale kaloi në Kladianë dhe më vonë në Kardhiq. Më 1395 Gjon Yenevisi e trasferoi qendrën episkopale në Gjirokastër ku gjendet edhe sot. Në korrik të vitit 1835 episkopata e Drinopojës me anën e një vendimi patriarkal u kthye në mitropoli. Në juridiksionin e kësaj mitropolie vihen edhe episkopata e Delvinës dhe ajo e Himarës. Mitropoliti i parë ka qenë Imzot Paisi, i cili mbante titullin Mitropolit i Drinopojës, Delvinës dhe Himarës. Në rendin e mitropolive të Patriarkanës Ekumenike, Mitropolia e Drinopojës, Delvinës dhe Himarës radhitej e 64-ta. Më 1922 kur u shpall autoqefalia e K.O.A.Sh-it, kjo mitropoli zbriti në rang episkopate me titullin episkopata e Drinopojës, Delvinës dhe Himarës.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]