Eftimi i Madh

Eftimi i Madh

(greqisht: Ευθύμιος) Eftimi i Madh (377-473) ka lindur në vitin 377 në Melitini të Armenisë. Prindërit e tij Pali dhe Vjonisia qenë besimtarë. Kur Eftimi ishte në moshën 3-vjeçare i vdiq i ati. E ëma e rriti me mundime. Episkop Eftroi, duke vlerësuar dhuntinë e Eftimit, e përkrahte. Pasi mbaroi me sukses studimet u hirotonis dhjak. Pak kohë më vonë u hirotonis prift dhe u mendua si më i përshtatshmi për të drejtuar manastirin e Melitinisë. Në vitin 406 shkoi në Jerusalem, ku u shqua për virtytet morale e shpirtërore. Pranë qelisë së tij u përqëndruan shumë murgjër të zellshëm, të cilët e zgjodhën Eftimin igumen të tyre. Këtë detyrë, Eftimi e kreu me përkushtimin më të madh. Nëpërmjet punës së tij misionare për ndriçimin e arabëve, mjaft prej tyre përqafuan besimin e krishterë. Gjithashtu kontribuoi në kthimin e mjaft heretikëve në gjirin e otodoksisë. Fjalët e tij qenë aq bindëse, sa edhe mbretëresha Evdhoksia, e cila kishte rënë në rrjetën e herezisë së monofizitëve, duke parë diturinë dhe vitytin e e Eftimit u rikthye në dogmën ortodokse. Në vitin 473 ai dorëzoi shpirtin te Perëndia. Aktivitetin dhe kontributin e tij kisha e vlerësoi duke i dhënë titullin “I Madh”.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Arkimandrit Justini, Nga thesari i shenjtorëve, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2004, faqe 39-40.
2-Efthimi i Madh, Ngjallja, janar 2003, faqe 11.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]